Përshkrim
Mbi librin
Historia e një incidenti, i cili prej një çerekshekulli pas rënies së komunizmit, është kthyer kokëposhtë në botime të ndryshme, kujtime, intervista, forume letrare, me prirjen për të shfajësuar njërin e për t’i vënë gishtin fajtor tjetrit.
Për herë të parë, me këtë libër, gazetarja Aida Tuci arrin të shpjegojë shterueshëm se çfarë ka ndodhur atë pasdite prilli të vitit 1968, në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve gjatë diskutimit të romanit “Dasma”. Nëpërmjet dëshmive nga bashkëkohësit, dokumenteve arkivore, si dhe një bisede me Ismail Kadarenë, lexuesit i zbulohen të panjohurat e kësaj enigme.
Komente mbi Bilal Xhaferin
“Për mua, i vetmi krijim disident i veprës së tij është poezia “Gazi 69″. Nuk di të them nëse këtë poezi e ka shkruar në Shqipëri apo në arrati. Bilal Xhaferi konsiderohej talent në atë kohë dhe unë mendoj se ka qenë i tillë. Por, nga ana tjetër, ai jetoi 20 vjet në Amerikë dhe jo vetëm që nuk ka krijimtari letrare, por edhe nuk bëri bujë si shkrimtar.”
Bedri Myftari
“Deri në vitet ’90, Bilal Xhaferi shihej si një i arratisur nga atdheu dhe jo si shkrimtar disident. Pas 90 – tës u sulën të gjithë për ta bërë disident. Në letërsi, ai nuk ka asnjë vepër disidente.”
Sulejman Mato
“Mes të tjerave, Bilali nuk e quajti veprën (Dasma) roman, sepse edhe kjo, siç thashë, qe një nga çështjet që diskutohej: ishte apo jo roman kjo vepër; dhe a ishte ajo një vepër e realizmit socialist. Edhe për këtë Bilali thoshte: Jo.”
Lila Plasari
“E quajtën me pa të drejtë shkrimtar disident dhe shkrimtar të madh. I konfonduan ngjarjet, ai pasi u arratis ishte disident politik, jo shkrimtar disident.”
Gjon Podja
“Në fakt, ai ka nuk letërsi disidente, por e kanë ngritur në piedestalin e pamerituar të disidencës. Pasi Bilalit iu hoq e drejta e botimit, kishte shenja disidence, por kjo disidencë nuk është shfaqur, sepse nuk botohej.”
Namik Mane
“Bilal Xhaferi aty ka dalë kundër vetes, kundër natyrës së tij, një gabim që mendoj se ka ardhur nga ndjenja për të pasur një rivalitet.”
Bashkim Kuçuku
“Bilal Xhaferi kaloi kufirin në vendin e quajtur “Përroi i Gjergjicës”, piramida 53, sektor që ruhej nga posta kufitare Vulistër… Por çuditërisht, komandanti i postës, oficeri S. X. Pa vënë në dijeni komandantin e pikës Vulistër, largoi patrullën dhe e spostoi atë rreth 500 metra nga “Përroi i Gjergjicës”. Kjo ndodhi në orën 23.00 – 00.00, kohë që përkon me orën e kalimit të kufirit nga Bilal Xhaferi dhe dy shoqëruesit e tij.”
Meto Kondi, ish – komandant i kufirit Sarandë
“Pas 25 vitesh, befas çështja ringjallet. Komunizmi ka rënë, gjithçka po rivlerësohet. Ngjarja te Klubi i Shkrimtarëve, gjithashtu. Madje me shumë mallëngjim. Dafinat që iu mohuan fajësuesit, i jepen tani të shumëfishuara. Cilësohet kolos, gati – gati hero i mendimit. Jo për veprën, në radhë të parë, për ngjarjen te Klubi i Shkrimtarëve. Atje ku e fajësoi kolegun e vet për dekadentizëm. Me një fjalë, disa minuta sharje kundër kolegut, i vlejnë më shumë se 30 vjet krijimtari.”
Ismail Kadare
Mbi autoren
Aida Tuci la lindur në vitin 1976 në qytetin e Rrëshenit. Në vitin 2000 u diplomua për gazetari në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1998 – 2000 ka punuar si gazetare kulture në gazetën “Shekulli”. Më pas bëhet pjesë e stafit të gazetës “Sporti Shqiptar”.
Ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me revista të ndryshme. Aktualisht punon si gazetare e faqeve kulturore në Media MAPO, që nga themelimi i saj. Ka fituar Çmimin Kombëtar të Gazetarisë Kulturore “Teodor Keko” për vitin 2012. Ky është libri i saj i parë.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.