Romani “Dashuria, fantasia” (lojëra të ndryshme tradicionale luftarake, kalërimi algjerian) është një paradë historike, një dialektikë midis të shkruarit (në frëngjisht) dhe të folurit (në arabisht), një hetim mbi natyrën e identitetit algjerian, por edhe një “arkeologji e brendshme”. Kjo paradë historike fillon me pushtimin e Algjerit më 1830, deri në Luftën e Pavarësisë (1954-1962).
Fuqia e provokimit, e pornografisë apo e blasfemisë mund të jenë relative, por stili i shkëlqyer, kritika e kthjellët dhe mizore, si dhe imagjinata e pakontrollueshme e një gjeniu si Günter Grass-i mbeten të pakrahasueshme. Edhe ardhja nga gjermanishtja në shqip nga Ana Kove mbetet e vlerësueshme dhe si e tillë, është vlerësuar si përkthimi i vitit në Panairin e 26-të të Librit Tirana 2023
“Lepur, vrapo” është romani i parë i tetralogjisë së Lepurit, që përcaktoi vendin e John Updike si një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë. Autori u vlerësua me çmimin Pulitzer për dy romanet vijuese, “Lepuri është i pasur” dhe “Lepuri prehet”.
Me botimin e dy vëllimeve të mëparshme dhe përkthimin e një antologjie në greqishte, autori kish menduar ta mbyllte serinë dhe ta arkivonte krijesën e vet të pashtruar, por nuk i paskësh bërë hesapet mirë me personazhin – meqë zoti Shyti kish ende shumë për të thënë.
I konceptuar si një monolog herë ngacmues, herë intrigues e herë zbavitës, në qendër të një kafeje imagjinare por aq familjare për shqiptarin e këtyre viteve, personazhi përmbledh në vete një traditë që nis ndoshta me Sokratin e dialogëve, duke i dhënë kafesë së thjeshtë të mëhallës tiranase atributet e skenës së një teatri antik, ku nuk mungon as kori, as personazhet satelite e ndonjëherë as publiku i imagjinuar.