Përshkrim
Përtej një gjysme shekulli censure e trembëdhjetë vjetë lamtumire, Arshi Pipa, autori dantesk i “Libri i burgut”, nuk ka reshtur komunikimin e tij serioz me lexuesin. Libri më i ri që botohet nga dorëshkrimet e mbetura prej tij, të cilën ai e quan thjesht “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.
Teksa shkruan: “Unë mund të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi; kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute”, Arshi Pipa është aq i vërtetë e aq i sinqertë, sa asnjë tjetër mendimtar përpara tij, nëmos Sokrati, modeli i tij kurajoz. Mendimtari shqiptar ndodhet në kushtet më të pakonceptueshme për të bërë filozofi. Është në vitin e nëntë të burgut, krejtësisht i sfilitur fizikisht, ndërsa shokët e tij i përçojnë imazhin e centaurit mitik, aq shumë burgimi i ka rënduar.
Mirëpo, për mendimtarin, ashtu si dikur moti për oshënarin, edhe burgimi më çnjerëzor mund të shndërrohet në spiritualitet, përderisa shpirti e mendja rrojnë: “Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtetë e mrekullueshme- kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.”





Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.