Franz Kafka është shkrimtar austriak, mbahet njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, por ka qenë edhe njëri nga njerëzit më të pandjeshëm të shekullit, njëri nga më të patjetërsuarit e më të çuditshmit e shekullit.
Kafka erdhi në letërsi pa më të voglin pretendim, përkundrazi, erdhi me mosbesim.
Fakt i çuditshëm është, sepse me gojën e tij Franz Kafka ka pranuar: “Çastet më të bukura të jetës sime i kam kaluar në tryezën e shkrimit”.
Krijimtaria letrare e Kafkës u zhvillua në mbështetje të rrymës letrare moderniste të ekspresionizmit, që zhillohej në vendet gjermanisht folëse në fillim të shekullit 20-të, por shkrimtari me ta nuk u bashkua.
Parapëlqeu heshtjen.
Ekspresionistët parapëlqenin tregimin për atë që mendonin dhe imagjinonin ata vetë dhe jo për atë që ishte në fakt. Edhe Kafka këtë rrugë ndoqi. Kafka e ndjente shkatërrimin e botës, e shqetësonte fati i njerëzve në katastrofat e pritshme, e tmerronte vetëdija e tragjizmit të llahtarshëm të njerëzimit.
Për përçuarjen e shqetësimit iu drejtua absurdit, që preferohej nga modernistët, por në të vërtetë Kafka si artist mendimtar është më i thellë. Preferoi tregimin e qetë, frazën e shtruar, përshkrime jo të bujshme.
Stili i tij është “Kafkian “, stili i absurdit.
Lindi në një familje hebrenjsh të varfër, por i ati shquhej për vullnet dhe u tregua tregtar i zoti.
Parapëlqente jetë të mbyllur mes librave. Presioni i të atit qe i vazhdueshëm dhe i vrazhdë, donte që i biri të merrte në duar frenat e ekonomisë.
Franzi vuante shumë nga privimi i lirisë dhe dhunimi i dëshirave, hija prej shtypësi e të atit la gjurmë e vragë të thellë për gjithë jetën. Për të gjitha këto ai do ti kumtonte botës në të famshin traktat “Letër babait”, që është dokument me forcë përgjithësuese të jashtëzakonshme.