Prof. Ceka thekson se studimi hedh dritë edhe mbi lindjen dhe origjinën e gjuhës shqipe si dhe trajton gjerësisht pjesëmarrjen aktive të ilirëve në qytetarinë romake. Sipas tij, një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar fuqishëm në mbijetesën dhe kompaktësimin e popullsisë shqiptare ka qenë edhe konflikti i madh me sllavët në atë periudhë kur këta të fundit u vendosën në rajon. Prof. Neritan Ceka i shkroi kapitujt e parë të këtij studimi që në vitin 1987 për ta dërguar në shtyp kohët e fundit. Ai trajton një nga cështjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasion që e ka të trashëguar nga i ati, Hasan Ceka, gjithashtu një arkeolog i njohur shqiptar. Libri “Ilirët” në shqip u publikua për të herë të parë në takime me studentë të Universiteteve të Tiranës dhe të Elbasanit, si dhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke ngjallur menjëherë interesimin e qarqeve shkencore universitare.