… Vapori s’po lundronte më. Pse vallë? Mos ishte prishur? Qëndronim në kuvertë, pranë dengjeve tona. Në kuvertë njerëzit shkonin e vinin, të gjithë të zënë me punë. E ndiqja me interes këtë gjallëri që s’ishte e zakonshme për mua. Thellë atje në errësirë dukeshin dy a tri drita të dobëta, si kandila. Deri atëherë ishim mësuar të shihnim bregun e detit të Karshijakës dhe të Izmirit të ndriçuar nga drita të forta. Mbrëmanet, sa kish filluar pak të errej, një burrë ndërronte kapuçin e bardhë të llambës dhe e ndizte sa bëhej dritë gjithë vendi. Pastaj edhe një tjetër, edhe një tjetër. Por këtu, ku kishim ardhur tani, pse s’kishte drita? Pse s’i qe ngjitur vaporis skelës së Sarandës ashtu siç i ngjitej skelës së Izmirit dhe të Karshijakës? Si mund të ngarkoheshin gjithë këto dengjet tona në këto varka? …
“… Ky libër zbulon talentin e një autori të ri dhe lindjen e një shkrimtari, një intelektuali të ardhshëm të botës letrare shqiptare, një intelektuali me një dashuri të pastër për atdheun e tij, m mendime përparimtare për ta parë Shqipërinë të përparuar si vendet e tjera të Europës, që sot na befasojnë…” -Botuesja