Përshkrim
Një vajzë e vogël, gjyshi i saj, zbulimi i bukurisë, i artit… dhe i jetës.
Mona është dhjetë vjeç dhe jeton në Paris me prindërit, kur një ditë fare papritur, nuk shikon më nga sytë. Kontrollet e para në urgjencë nuk zbulojnë asgjë të pazakontë, dhe pas disa orësh ankthi, duket se shikimi i është rikthyer. Okulisti është i bindur se vajza ka nevojë për një konsultë psikiatrike, por gjyshi i Monës, Henri – një plak i ashpër dhe kokëfortë – mendon krejt të kundërtën: nëse vajza rrezikon të humbasë shikimin, e vetmja shpresë e vërtetë është t’i tregojë asaj gjithçka më të bukur që ka krijuar njeriu.
Dhe kështu, çdo të mërkurë, menjëherë pas shkollës, gjyshi e shoqëron mbesën të vizitojë disa nga muzetë më të rëndësishëm të botës. Louvre-in, Muzeu e Orsay-ës, Beaubourg-un, që janë si arkëza mrekullish që hapen para syve të Monës dhe udhërrëfyesit të saj.
Duke soditur me magjepsje pesëdhjetë e dy veprat që shënojnë rrjedhën e romanit, vajza zbulon stilin e veçantë të çdo artisti, preket thellë nga madhështia e heshtur e një Leonardoje apo e një Degàsi, e një Botticelli apo e një instalacioni të Marina Abramovic-it.
Gjyshi dhe mbesa nisin një udhëtim në misterin e bukurisë, në aftësinë enigmatike të artit për të zhveshur shpirtin e njeriut – një udhëtim që do të ndryshojë përgjithmonë jetën e të dyve. Dhe, bashkë me ta, edhe tonën.
Thomas Schlesser është një historian arti dhe drejtor i Fondacionit Hartung-Bergman, një institucion që ka për mision ruajtjen dhe vlerësimin e veprave artistike, arkivave dhe trashëgimisë arkitekturore. Ai është gjithashtu pedagog në École Polytechnique dhe autor i disa biografive të piktorëve dhe artistëve të njohur. Sytë e Monës u bë një fenomen botëror editorial, me të drejtat e shitjes të siguruara në mbarë globin dhe me përkthime në mbi njëzet gjuhë, madje përpara publikimit zyrtar në Francë.















Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.