Përshkrim
Ted Hughesi dhe Sylvia Plathi, çifti “i mallkuar” i letërsisë moderne, mbi të cilin la vragë të thellë vetëvrasja e Silvias vetëm tridhjetë vjeçe më 1963, ka frymëzuar gjithfarë spekulimesh dhe mitesh rreth martires së brishtë dhe xhelatit të saj të pashpirt.
Në këtë roman, Connie Palmen-i i jep zë Ted Hughesit që tregon – poetin, bashkëshortin, burrin që pareshtur pyet veten për fajet e tij, por që gjithnjë ka mbajtur një heshtje varri për jetën dhe vdekjen e së shoqes – të vërtetën e tij.
Një rrëfim intim, që na përthith në shtjellën e një dashurie tragjike mes dy shkrimtarësh të bashkuar në zjarrin e shenjtë të artit: nga takimi i parë trallisës te martesa fort e trazuar, udhëtimi i gjatë në natyrën amerikane, mjediset mondane letrare të Londrës dhe mbërritja e bijve, karriera e shkëlqyer e tij dhe beteja e pareshtur e saj kundër demonëve të vet.
Silvia, enfant prodigue e parezistueshme e letrave amerikane, e mprehtë, pasionante, por në të vërtetë një fëmijë me shpirt të qelqtë që kërkon ndihmë, e fiksuar nga pritshmëritë ndaj vetes, viktimë e një mitologjie që i dikton sakrifikimin në altarin e poezisë, martirizimin si fat, çlirimin dhe rilindjen.
Tedi, intelektuali europian, i cili gjen muzën dhe një shoqe jete tek ajo, i jep gjithçka që mundet në përpjekje për ta shpëtuar nga ana e errët, duke rënë në kurthin e një varësie të ndërsjellë të rrënjosur thellë e më thellë, pretenduese, grabitqare, dhe duke e zbuluar veten të pazotin për t’i qëndruar në krah.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.