Përshkrim
I joshur nga një episod i jetës së të famshmit, Xhiakomo Kazanova, i dashurisë së tij të pashpresë ndaj gruas që e lëndoi në rininë e tij, para se të bëhej ai që u bë. Arthur Japin ndërton një libër të mrekullueshëm, plot histori, jetë dhe emocion.
Ftohtësia klinike dhe rrënqethëse me të cilën Luçia, e dashura e Kazanovës, rrëfen është tronditëse. Prej një fatkeqësie gati mortale, Kazanova e humb Luçian qysh në krye të historisë, por kur do ta rigjejë atë, vite më vonë, Luçia nuk do të jetë më e njëjta. Shëmtia e saj, e mbuluar me një vel të përkryer prej prostitute klasi, ku jeta e çoi pas një kalvari të gjatë e të dhimbshëm, do t’ia mbyllë për së dyti dhe për së fundi portën për në shpirtin e njeriut që deshi.
Ky roman është një rrëfim intrigues mbi dashurisë sublime e të pafat dhe një kontribut i ri në njohjen e jetës së një njeriu kureshtar si Kazanova.