Përshkrim
Korrespondentët e gazetave të Beogradit kanë lajmëruar: se një fshat shqiptar në Lumë është zhdukur, pasi shqiptarët japë mbyllur nëpër shtëpi dhe janë mbrojtur me ngulm deri në njeriun e fundit.
Kur trupat serbe e shkatërruan këtë fshat, aty nuk kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhër ta djegin fshatin dhe gjithçka që gjejnë në të ta vënë nën thikë, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët “të gjithë a?”, kot e njoftuan disa herë komandantin se në fshat, përpos grave e fëmijëve, nuk ishte askush tjetër. “Të gjithë!”, kjo ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit, i cili punonte në marrëveshje me nënkolonelin Miliqeviq.
Për dy orë fshati u zhduk me skena që është vështirë të përshkruhen. Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjet në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika.