Përshkrim
– Nona beson se nëna e saj e dinte, ose, të paktën, kishte arsye të dyshonte se, orët që burri i saj po kalonte me të bijën, nuk ishin tërësisht të pafajshme. Ky njeri përbindësh i kishte ndërtuar Nonës apartamentin e saj të veçuar, disa vjet më parë dhe kur gruaja e tij u interesua për kohën që kalonte vetëm me Nonën, ai pretendonte se po e ndihmonte atë me mësimet dhe me provimet e semestrit, ashtu si pretendonte gjithashtu, se kishte qenë një student ekselent në universitet. Po e përgatiste të bijën për gjëra të mëdha në matematikë, kështu thoshte të paktën.
– Oh, Sara. Dhe e ëma nuk bëri asgjë?
– Nga ajo që Nona na tha mbrëmë, nëna e saj përdhunohet dhe rrihet rregullisht nga i shoqi. Gruaja po jeton me frikë për vete dhe nuk e gjen dot guximin për të luftuar për vajzën e saj.
U drejtova në karrige aq e zemëruar, saqë e shtrëngova dorën e Sarës me një forcë që nuk e dija se e kisha.
– Sulltana, – bërtiti motra ime, duke tërhequr dorën.
Vështrova Sarën, sytë e së cilës u zgurdulluan për pak kohë nga dhimbja. Ajo po fërkonte duart me njëra-tjetrën, por ende rrinte mbështetur dhe shpejt i mbylli sytë përsëri.
Kjo sjellje do të konsiderohej e çuditshme nga ata që nuk e dinin historinë e saj të plotë, lidhur me abuzimin seksual dhe dhunën fizike që kishte duruar në duart e bashkëshortit të saj të parë. Por, e dija që Sarës i kishte lënë aq shenjë ajo traumë, sa kishte gjetur mënyra për të luftuar momentet më të vështira.
Nëse qëndrimi me sy të mbyllur, teksa diskutonte për çfarë i kishte ndodhur Nonës, gjëra që i kishte përjetuar edhe vetë, i bënte të mundur të kalonte detajet, atëherë e besova se ajo kishte vlerësuar saktë çfarë mund dhe nuk mund të përballonte.
– Më vjen keq, Sara, më vjen keq.
– Kjo nuk është më e keqja, Sulltana.
– Nuk është?
– Jo. Nona, kohët e fundit, zbuloi se është shtatzënë.
– Shtatzënë?
– Po, shtatzënë me babanë e saj. Nona, më në fund, i rrëfeu çdo gjë nënës së saj dje. E ëma u përball me burrin e saj kur ai erdhi në shtëpi për të ngrënë drekë, por gjithçka që fitoi nga kjo sjellje e re e guximshme, ishte një e rrahur e rëndë. Nona tha se i ati e goditi nënën e saj me grusht në fytyrë, e shtriu përtokë dhe, pastaj i gjuajti me shkelma. E ëma humbi disa dhëmbë dhe ka disa brinjë të thyera, dhe të çara dhe të nxira të shumta.