Përshkrim
Kur stuhia e atyre dy ditëve kaloi, dhe kur u ktheva i qetë në zyrën time të vogël, tek “Trumbeta”, prisja, herë indiferent, dhe herë me një ankth të madh, vendimin e anëtarëve të komisionit. Më priste një zhvillim i ri, shumë i pakëndshëm. Vendimi erdhi. Ai kishte formën e një letre të zakonshme. Nuk kishte dërgues, por më bëri përshtypje kaligrafia me të cilën ishin shkruar emri dhe adresa ime.
Pasi e vërtita disa herë në dorë zarfin, duke u përpjekur të kujtoja se çfarë më sillte ndërmend ai shkrim – i cili e bënte të dukej si një vepër arti që nuk dëshiron ta shkatërrosh – më në fund vendosa dhe e hapa, por me shumë kujdes, me letërprerësen metalike që ia mora kolegut tim të zyrës.
Ishte një letër e shkurtër, me vetëm dhjetë rreshta, të shkruara me një kaligrafi të pakrahasueshme, një mori fjalësh, që tek i lexoja, bënin që gjaku të më vërshonte në kokë, sytë të më turbulloheshin, duart të më dridheshin. Ishin fjalë që më pickonin si grerëza. Ishte letra që më dërgonte e dashura ime e vogël Mirto, që e kisha dashuruar dhe dëshiruar si asnjë vajzë tjetër deri atëherë. Më informonte…
Por më mirë po paraqes letrën e saj:
***
“I dashuri im Petro,
Me hidhërim të informoj se babai dhe familja ime më detyruan që të martohesha me një tregtar të pasur portokallesh nga Varoshi. Ky burrë është dhjetë vjet më i madh se unë, është i shkurtër dhe i trashë, dhe në fjalorin e tij nuk ekzistojnë foljet “faleminderit” dhe “të lutem”.
Babai dhe motrat e mia, madje edhe gjyshja, e bënë veshin të shurdhët përballë kundërshtimeve, protestave dhe lotëve të mi. Madje edhe përballë kërcënimeve të mia se do të vetëvritem. Që familja të qetësohet, por kryesisht, që të shlyhen borxhet e babait, u theva dhe pranova që ta paguaj unë çmimin.
Në mungesën time, dasma u caktua nga familja për këtë verë, pavarësisht se tregtari i portokalleve nguli këmbë që të bëhet menjëherë sapo të dalin çertifikatat tona të beqarisë nga Mitropolitë.
I dashuri im Petro, të siguroj se në pjesën tjetër të jetës sime, do ta kujtoj gjithmonë atë pasdite të paharruar në Sunio…”
Në vend të firmës së zakonshme, kishte shkruar shkronjat kapitale të emrit të vet: M.P… Edhe ajo M.P.! Çfarë koinçi-dence! E ikur edhe ajo! E larguar, duke vjedhur zemrën time…
Mbi autorin
Panos Ioannides lindi në Amohosto, Qipro, në vitin 1935. Studioi për “Mjetet e Komunikimit Masiv” në SHBA dhe në Kanada. Punoi si shef i Radios dhe Televizionit në Radion Publike të Qipros. Në 1995 u lirua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Programacionit.
Eshtë kryetar i PEN International – Qendra e Shkrimtarëve Qipriotë, kurator i botimeve të Qendrës dhe kryeredaktor i revistës kulturore “In Focus”, që del çdo tre muaj në anglisht. Filloi të shkruajë dhe të botojë vepra letrare, fi llimisht poezi dhe teatër, qysh më 1955, në moshën njëzetvjeçare.
Që nga ajo kohë vazhdon me sukses “betejën” letrare. Shkroi dhe botoi tregime, romane, vepra teatrore, përmbledhje me poezi, si dhe një numër të madh serialesh radiofonikë dhe televizivë, gjithashtu edhe skenarë.
Veprat e Panos Ioannidesit janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja. Eshtë mbajtës i çmimeve “Thodosi Pierides” dhe “Tefkrou Anthia”, me çmimin e Kontributit Global të E.L.K., “G.F. Pierides”, si dhe me çmimin e dramës televizive për veprën “Gregory” në Konkursin Paneuropian, organizuar në Sofje –
Bullgari, në vitin 1976.
Në vitin 2007, iu akordua medalja “Nderi i Letrave”, që është vlerësimi më i lartë shtetëror që jepet për letërsinë në Qipro. Romani “Korbi – si përrallë por edhe…” është vepra e parë nga Panos Ioannides e përkthyer dhe botuar në shqip. Jeton në Nikosia, Qipro.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.