Përshkrim
Ashtu siç ndodh shpesh në letërsi, spekulimet për zhanret, mesozhanret, historitë dhe karakteristikat e tyre nuk ndalen. Këtë vorbull, studentët e studiuesit, shpeshherë, në vend se ta qartësojnë, e stimulojnë.
Meqë spekulimi mbi letërsinë dhe të folurit me paragjykim janë arma e tyre e vetme teorike, askujt s’i ka interesuar të vendosë vija të qarta të cilat, në mos të bënin më shumë, të paktën do ta dallonin studiuesin prej spekulantit.
Duke qenë për nga natyra dinamik dhe jo lehtë i definueshëm, romani ka qenë, më së forti prej zhanreve ndoshta, viktimë e lojërave të tilla. Përpjekjet e studimit serioz të romanit edhe nëse nuk kanë munguar, nuk janë përkthyer dhe rrjedhimthi, komuniteti shqiptar i shkencave filologjike, nuk ka komunikuar me to.
Libri “Hyrje në teoritë e mëdha të romanit” bën një hap përpara në këtë boshllëk.
Autori Pierre Chartier është krejt i painteresuar ta ngarkojë tekstin e tij me terminologji shpesh aspak shencore dhe ruan në thelb atë që dija mbi letërsinë synon: shpjegimin, pa teprime pozash e ndërlikimesh.
Chartier sjell një perspektivë historike të romanit dhe ideve mbi të, jo domosdoshmërisht duke shpjeguar, sa duke bërë atë që është më e rëndësishmja në letërsi: duke ngritur pikëpyetje. Sot, ka një pandehmë të përgjithshme se romani po përjeton një krizë identitare.
Sado që unë s’pajtohem me këtë pohim, më duhet ta përdor për të theksuar një tjetër kualitet të tekstit të Chartier: Ai tregon sesi romani nuk është në krizë dhe se identiteti i vetëm i vërtetë i romanit, është të qenit i padefinueshëm qartë.
Prandaj, teksti i tij, me të gjitha standardet, përbën një përmbledhje teorike shumë të nevojshme dhe një hyrje të njëmendtë në teoritë e romanit. Ai është një ftesë për të notuar në detet e shkencës. Kjo vlen veçanërisht për studentët dhe studiuesit e rinj shqiptarë që duhet të çlirohen nga pozat, ashtuqë të bëjnë letërsi mirëfilli.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.