Availability: In Stock

Fan Noli, Apostulli,vol.1

Autor: Ilir Ikonomi
SKU: 9789928388353

1,800L

“Apostulli” është libri i parë i biografisë prej tre vëllimesh për Fan Nolin i autorit Ilir Ikonomi.

2 stok

Përshkrim

“Apostulli” është libri i parë i biografisë prej tre vëllimesh për Fan Nolin i autorit Ilir Ikonomi.

Në agimin e shekullit të njëzetë, lufta e Shqipërisë për pavarësi nga Perandoria Turke u drejtua nga një grusht të rinjsh të rëndësishëm, shumë prej të cilëve shfrytëzuan Shtetet e Bashkuara si bazë për të zhvilluar një fushatë të fortë nacionaliste. Njëri ndër më kryesorët, Fan Stilian Noli, shkoi në Amerikë nga Egjipti në vitin 1906 në kërkim të rrugëve për të ndihmuar bashkatdhetarët e tij të organizoheshin, duke u bërë eksponent i suksesshëm i ideve liberatore.

Në parathënien e librit “Apostulli”, historiani amerikan Bernd Fischer shkruan:

Metodat shpesh jokonvencionale të përdorura prej Nolit përshkruhen me ngjyra të gjalla në këtë biografi të re politike nga autori dhe ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, i cili, me punimin e tij influencues për Faik Konicën, gëzon tashmë emër si një historian me vlerë.

Në këtë vepër, që është rezultat i një studimi të gjerë dhe me syrin për të kapur detajet e rëndësishme, Z. Ikonomi e sjell Nolin në jetë përpara lexuesit.

I lindur në një familje shqiptare ortodokse në Ibrik-Tepe, një fshat turk i Trakës Lindore, Fan Noli u rrit me një frymë të zjarrtë nacionaliste shqiptare dhe, pasi mbërriti në Boston në moshën 24-vjeçare, filloi të krijojë një bazë mbështetëse për fushatën e tij të ardhshme të pavarësisë.

Me ndihmën e Sinodit rus, ai arriti të themelojë një kishë të re ortodokse, ku Ungjilli lexohej në gjuhën shqipe. Duke e deklaruar hapur qëndrimin e vet anti-grek, Noli pohonte se kisha e tij e re ishte pjesërisht e orientuar për të shpëtuar Shqipërinë e Jugut – rajon me popullsi kryesisht ortodokse, për të cilin Athina pretendonte se ishte pjesë e Greqisë. Ai këmbëngulte se të qenët ortodoks nuk përkthehej domosdoshmërisht në të qenët grek dhe përdori kishën e tij shqiptare për ta përhapur këtë ide.

Fan Noli u bë një figurë qendrore në bashkimin e emigrantëve kryesisht të pashkollë shqiptarë, që kishin krijuar koloni në verilindje të Amerikës dhe ia doli t’i integrojë në një federatë shoqërish të quajtur Vatra.

Z. Ikonomi ka përdorur një sasi të madhe burimesh arkivore dhe të natyrave të tjera për të dhënë një portret nga afër të Fan Nolit dhe për të eksploruar detajet e veprimtarisë së tij. Në librin e Z. Ikonomi, Noli shquhet si një luftëtar i guximshëm dhe i pakompromis, i cili lobonte pa u lodhur për Shqipërinë, në një kohë kur fati i saj varej në fije të perit. Ai del shpesh si një personazh i nxituar dhe kokëfortë, por edhe si njeri i ditur, me një edukim të shëndoshë dhe klasik. Noli përshkruhet si një personalitet i shumë talenteve: poliglot, orator i aftë dhe përkthyes novator i tragjedive të Shekspirit.

I dashur lexues


Fan Noli (1882-1965) gjithnjë më ka tërhequr për guximin me të cilin i kishte nisur punët e tij të mëdha, duke shkatërruar korniza dhe hapur shtigje të reja.

Ky libër i pasuron studimet për Nolin me material të panjohur më parë. Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara, në Merilend, ruan dokumente të rralla për Nolin. Biblioteka e Kongresit në Uashington ka një koleksion të mirë të gazetës Dielli. Ndër arkivat e tjera që konsultova, befasues ka qenë ai i Ministrisë së Jashtme austriake në Vjenë. Gjatë vizitave në Shqipëri kam hulumtuar në Arkivin Qendror të Shtetit, mjaft miqësor për kërkuesit. Në Bibliotekën Kombëtare gjeta koleksione të vjetra që më ndihmuan të kuptoj sfondin historik në të cilin veproi Noli. Ka qenë një privilegj të takohesha me specialistë të historisë, letërsisë, fesë dhe muzikës, para se të përzgjidhja materialin me të cilin do të ndërtoja vëllimet e mia.

Për jetën e Nolit është shkruar mjaft, nga shqiptarë e të huaj. Janë bërë shumë zbulime. Një pjesë e biografëve kanë qenë përfshirë në dëshirën për t’i thurur atij lavde pa fund. Në sytë e tyre, Noli ishte një shenjt, një njeri i pakritikueshëm. Kjo ka qenë zgjedhja e tyre, por nuk besoj se do t’i kishte pëlqyer Nolit po të ishte gjallë.

Disa prirje pro-bolsheviste të Nolit dhe bashkëpunimi me regjimin komunist të Shqipërisë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, i siguruan atij një propagandë lavdërimesh gjatë dekadave të diktaturës. Dhe, siç ndodh në diktaturë, të vërtetat u fshehën ose u shtrembëruan. Edhe sot ka ende ngurrim për t’i thënë të gjitha, nga droja se mund t’ia errësojnë Nolit figurën.

Unë zgjodha rrugën e natyrshme: t’i hidhja faktet në tryezë dhe ta lija personazhin tim të fliste vetë, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pafiltruar. Sigurisht, e vërteta është e komplikuar dhe shpesh e dhimbshme. Nganjëherë më është dashur të hyj në luftë me veten, për të mos shkarë në pozitat e një kritizeri të pandershëm dhe as në idolatri. Ndërkaq, problemi i përhershëm që ka një biograf i Nolit është se nuk mund ta intervistojë dot personazhin e tij.

Në këtë vëllim të parë të jetëshkrimit, lexuesi do të ketë rast ta njohë Nolin me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimin, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që kanë ose nuk kanë vdekëtarët e kësaj bote. Jam përpjekur të dokumentoj me saktësi çdo akt, fjalim, shkrim dhe gjithçka tjetër që lidhet me Nolin e me epokën e tij, në mënyrë që të shuhen dyshimet për subjektivizëm dhe që filmi të jetë i plotë e i paprerë.

Informacion shtesë

Autori

Gjuha

Nr i faqeve

454

Shtëpia botuese

Shkrimtarët

Short Description

Rafti #

3/7

Pesha

Website Stock

Shqyrtime

Ende pa shqyrtime.

Bëhuni i pari që shqyrton “Fan Noli, Apostulli,vol.1”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *