Përshkrim
Një ngjarje unike letrare: M. Duras, pasi mëson për vdekjen e burrit që kishte qenë protagonist i romanit “Dashnori”, gjashtë vjet më pas rishkruan historinë e dashurisë. Protagonistët janë po ata: burri kinez dhe pesëmbëdhjetëvjeçarja e bardhë. I njëjti sfond: Indokina e viteve tridhjetë, me pasditet e saj rraskapitëse, aroma e shiut dhe jaseminit, rrugët e mbushura me qen, lypës, të marrosur, netët e xhazit.
Por historia rijetohet, nxirret edhe një herë nga pluhuri, zhvillohet, zmadhohet, sepse në thelb ajo është zemra e të gjithë veprës së Duras-it. Fëmijëria në Konçinçinë rivështrohet me furinë e atij që do të shprehë gjithçka: krenarinë, varfërinë, lakminë, mizorinë e jetës koloniale për të zvetënuarit. Nuk ka vend për dhimbsuri apo mall.
Pasionet janë parësore, të dhunshme: një vëlla i gatshëm për të vrarë për pak drogë, një nënë e prirë të prostituojë të bijën, një burrë i pasur kinez që vjen nga Veriu, përballë një familjeje të shkatërruar.
Komente mbi librin
“I përshëndetur nga kritikët francezë si një kthim në “kohën e librave të mëdhenj dhe ditëve të mira të Duras – it”, ky libër është pasqyrim i një periudhe të pjekur dhe komplekse në jetën e autores.”
Publishers Weekly
“Një libër origjinal dhe i fuqishëm, shkruar me sinqeritetin brutal të një dokumentari bardhë e zi.”
Chicago Tribune
Mbi autoren
Marguerite Duras është pseudonimi i Marguerite Donnadieu (1914-1996), një prej figurave më të rëndësishme letrare të Francës së shekullit të kaluar. Autore e mjaft romaneve, dramave, filmave, intervistave dhe tregimeve të shkurtra, të vlerësuara shumë si nga kritika, ashtu edhe nga lexuesi i përbotshëm.
Në vitin 1984, ajo fitoi çmimin prestigjioz letrar Goncourt me romanin Dashnori. Duras-i e ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë në Indokinë, por në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare ajo shkoi në Francë për të studiuar në Universitetin e Parisit, Sorbonë.
Dyras ka pasur një jetë shumë interesante, qoftë në rrafshin personal, qoftë në atë publik. Pjesëmarrëse në Rezistencën franceze gjatë pushtimit gjerman, më pas veprimtare e shquar në betejat për emancipimin shoqëror dhe publiciste e palodhur, përveçse shkrimtare e shquar.