Përshkrim
Në fund, Putini e humbi kontrollin. Uli zërin, rrudhi ballin dhe tha: -Magnitski nuk vdiq nga torturat – ai nuk u torturua. Ai vdiq nga një atak në zemër. Ashtu siç e dini të gjithë, ai ishte avokati i zotit Brauder, i cili dyshohet nga organet tona ligjzbatuese për krime ekonomike në Rusi. Ndjeva një sëmbim në zemër. E dija që, nga çasti kur buzët e holla të Putinit do të shqiptonin emrin tim, jeta ime do të ndryshonte përgjithmonë. Në të kaluarën, Putini kishte refuzuar me vendosmëri ta përmendte emrin tim. Ishte pyetur publikisht dy herë nga gazetarët dhe gjithmonë më ishte referuar si “ai individi”. Ai nuk denjonte asnjëherë t’u përmendte emrat armiqve të tij. Por, jo më tani. Kur dëgjova Putinin të shqiptonte emrin tim, u rrëqetha dhe u përgatita për çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhte më pas. Duhet ta marr në konsideratë faktin se ekziston mundësia që Putini ose anëtarët e regjimit të tij të më vrasin një ditë. Si kushdo tjetër, as unë nuk dua të vdes dhe nuk kam ndërmend t’i lë të më vrasin. Nuk mund të përmend shumicën e masave që kam marrë, por do të përmend njërën prej tyre: këtë libër. Nëse vritem, do ta dini se kush e ka bërë. Kur armiqtë e mi ta lexojnë këtë libër, do ta kuptojnë që ju e dini.
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.